Kuvendi: Qeveria teknike – afatet e aktiviteteve mbeten të pandryshuara!

TË DIELËN 28 JANAR VOTOHET QEVERIA TEKNIKE ME KRYEMINISTËR TALAT XHAFERIN

Afatet lidhur me aktivitetet e Kuvendit, sic ishin kumtuar paraprakisht, mbeten të pandryshuara – kanë njoftuar nga Kabineti i Kryeparlamentarit Talat Xhaferi, pas koordinimit të sotëm ku nuk janë njoftuar detaje se si zhvillohen përgatitjet për formimin e Qeverisë Teknike.

Sipas paralajmërimeve pas koordinimit të parë më 9 janar, përgatitjet për qeverinë teknike duhet të nisin sot dhe të përfundojmë me votimin e së dielës më 28 janar.

Në koordinimin tek Kryeparlamentari Talat Xhaferi, rregullisht nuk marrin pjesë përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së opozitare, kurse tani edhe përfaqësuesit e opozitës shqiptare për shkak se nuk është pranuar kandidati i tyre për anëtar të KSHZ-së.

“Nga 22 deri 28 janar në seancë plenare do të realizohen këto procedura; konstatimi i dorëheqjes së Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, zgjedhja e Kryeparlamentarit të ri, njoftimin I Presidentit të vendit për ndarjen e mandatit Kryeministrit të ri, zgjedhja e Qeverisë,Ministrave, Zv/Ministrave dhe Zv/Ministrave plotësues, si dhe konstatimi i ndërprerjes së mandatit të deputetit dhe verifikimi i mandatit për deputet të ri në Njësinë Zgjedhore 5”, thonë nga Kuvendi.

Sipas informacioneve nga shumica qeveritare, dorëheqjet e Kryeministrit Kovaçevski dhe Kryeparlamentarit Xhaferi, duhet të ndodhin në ditët para seancës parlamentare të caktuar për më 26 janar, kur do të konstatohen dorëheqjet dhe të zgjedhet Kryetari I ri I Kuvendit, Jovan Mitreski. Zgjedhja e Qeverisë Teknike duhet të bëhet të dielën më 28 janar.

Burime të Kuvendit njoftojnë se deklaratat e fundit të Kryeministrit Kovaçevski dhe të BDI-së si dhe paralajmërimet që vijnë nga VMRO-DPMNE-ja mund ta ndryshojnë rrjedhën e aktiviteteve formale-juridike lidhur me zgjedhjen e qeverisë teknike.

Në njoftimin e sotëm të shkurtër pas koordinimit, nga Kabineti i Kryeparlamentarit, kanë theksuar se Xhaferi nuk I komenton deklaratat partiake.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski,pas paralajmërimeve të VMRO-DPMNE-së se nuk do të votojnë për Kryeministrin Teknik, gjatë fundjavës deklaroi se vendet që sipas ligjit I takojnë opozitës në qeverinë teknike, duhet të mbeten të zbrazëta derisa VMRO-DPMNE nuk voton për qeverinë teknike.

VMRO-DPMNE-ja njoftoi se mbeten në qëndrimin që të mos votojnë për Kryeministrin Teknik, kurse këtë javë do t`i bëjnë publike emrat e ministrave dhe Zv/Ministrave.

Sipas paralajmërimeve, BDI-ja nuk do t`i mbështesë propozimet që vijnë nga VMRO-DPMNE për ministra në qeverinë teknike. Dje, me qëndrim të njëjtë dolën edhe nga Partia Liberalo-Demokratike.

Qeveria Teknike nuk do të mbështetet as edhe nga Lidhja Demokratike, sipas së cilëve, shumica parlamentare duhet të sigurojë 61 vota për ta votuar këtë qeveri.

Qeveria teknike formohet 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare,që duhet të mbahen më 8 maj. Paraprakisht më 24 prill do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Mandati I kësaj Qeverie përfundon me zgjedhjen e qeverisë së re./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share