Pas miratimit të marrëveshjes për emigrantët, ka një reagim nga ana e kryeministrit Edi Rama.
Edhe pse nuk ishte i pranishëm sot në Kuvend, Rama shprehet përmes një postimi në rrjetin social “X” se kjo marrëveshje e çon Shqipërinë hapa para në rrugën e saj drejt BE-së, duke theksuar se Europa duhet të bashkëpunojë si një familje e madhe përballë sfidave të tilla.
“Kuvendi ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit kundër migracionit të paligjshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë! Shqipëria po qëndron së bashku me Italinë duke zgjedhur të veprojë si një vend anëtar i BE-së dhe duke rënë dakord të ndajë një ‘barrë’ që Europa duhet të përballojë e bashkuar si një familje e tërë përballë një sfide të guximshme që kapërcen ndarjet tradicionale të majta dhe të djathta. Duke punuar së bashku për të gjetur përgjigjet e duhura, në vend që ta përdorni këtë çështje si lëndë djegëse për grindjet e brendshme politike që vetëm sa rrit ankthin mes njerëzve të kontinentit tonë të përbashkët dhe e bën të ardhmen tonë kolektive më të pasigurt. Asnjë vend nuk mund ta zgjidhë një sfidë të tillë i vetëm, asnjë retorikë apo zgjidhje e shpejtë nuk mund të ndryshojë madhësinë e saj dhe asnjë lavdi e vjetër apo mënyra e të menduarit e kaluar nuk mund të sigurojë një shpëtim nga përballja me atë që po vjen në të gjitha frontet. Vetëm një Evropë më e fortë, më e guximshme dhe më sovrane, besnike ndaj vetvetes mundet”, shkruan Rama.
Kujtojmë se marrëveshja me shtetin fqinj u nënshkrua më 6 Nëntor në Romë mes kryeministrave. Në një draft paraprak thuhet se në vendin tonë do ngrihet qendra e parë e pritjes së emigrantëve në Shëngjin dhe ajo e akomodimit në Gjadër.
Të dyja strukturat do të ngrihen dhe administrohen nga qeveria italiane, e cila do të mbulojë të gjitha shpenzimet. Kështu emigrantët e shpëtuar në Mesdhe do të ngjiten në bordin e anijeve italiane dhe do të kalojnë filtrin e parë në Shëngjin ku do të tentohet identifikimi dhe më pas do të kryhet verifikimi për gjendjen shëndetësore. Janë parashikuar rrugë të ndryshme kalimi për ata me sëmundje apo ata që do të duhet të qëndrojnë në paraburgim.
Mediat italiane shkruajnë po ashtu se struktura e Gjadrit për emigrantët që do të presin përgjigje për azilin ose ata që nuk kanë të drejtë të hyjnë në Itali dhe që duhet të riatdhesohen do të ketë një sipërfaqe rreth 77 mijë metra katrore. Aty do të ndërtohen 10 godina që do të presin maksimumi 3 mijë persona njëkohësisht. Zv/sekretari i qeverisë italiane Giovanbattista Fazzolari tha se emigrantët mund të qëndrojnë në Shqipëri edhe përtej 28 ditëve, por maksimumi i lejuar nga ligji italian është 18 muaj. Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes Italia do të duhet paguajë 16.5 milionë Euro ndaj Shqipërisë./tvklan.al