Kuvend: Vazhdon debati për shkarkimin e ministrave të Alternativës

DEPUTETËT DEBATUAN NË SALLË POTHUAJSE TË ZBRAZËT

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka vazhduar sot debatin për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës nga radhët e Alternativës . Edhe sot debati, sic njofton KlanM, është zhvilluar me sallë pothuajse të zbrazur, ndërsa deputetët e shumicës parlamentare dhe opozitës vazhduan me akuza e kundër akuza të ashpra ndaj njëri tjetrit. Deputeti i LSDM-së, Nenad Kociq tha se, nervoza e deputetëve të VMRO -së, që shprehet përmes foltores së Kuvendit, është për shkak të vendimit të Strasburgut, i cili hodhi poshtë ankesat për abolimin e ish presidentit, Gjorgje Ivanov.

“Flisni për krim ju nga VMRO – DPMNE!? Ju lutem! Me çfarë fytyre?! Harruat si bënin marrëveshje me telefon të përfundojë në hendek komunisti, të bëjmë luftë, harruat se me çfarë çmenduri të palogjikshme dakordosheshin anëtarët e partnerëve tuaj. Çfarë morali të rrejshëm po shitni!? Ju lutem, të mos flisni për moral, të mos flisni për krim, ju keni qindra kriminel  të dënuar apo në gjyq” – tha Nenad Kociq, LSDM.

Kociq shtoi se, VMRO – DPMNE nuk ka më kredibilitet dhe pas vendimit të Strasburgut,  duhet t’u kërkojë falje qytetarëve. Deputeti i opozitës maqedonase, Brane Petrushevski, në replikën e tij ndaj këtij fjalimi, akuzoi pushtetin për keqpërdorim dhe tha se prej kur kanë ardhur në pushtet, merren vetëm me akuza ndaj VMRO-së.

“Ju kur do të kërkoni falje për miliona eurot që keni vjedhur. Unë nuk kam lidhje me Strasburg. Pse më detyron mua të të kërkoj falje për proceset në Strasburg. Gjashtë vite jeni në pushtet, pas gjashtë vite keni ngecur në një vend – VMRO  kriminele, pallati i bardhë, në Veles keni humbur me 7000 vota diferencë” – tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Adnan Neziri bëri thirrje që deputetët t’i përmbahen rendit të ditës

“Duhet t’i përmbahemi rendit të ditës dhe të flasim rreth rendit të ditës dhe jo të përdorim çdo formë të mundësisë që na bën të mendojmë se nuk duam të elaborohen problemet se bllokohet Kuvendi. Për mua është e pakuptimtë bllokada pasive, ka vetëm bllokadë aktive. Opozita ka të drejtë në kritikë, por duhet të bëjë në mënyrë racionale” – tha Adnan Neziri nga ASH-ja.

Kujtojmë se, dje përfundoi debati për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali, ndërsa në rend ditë të kësaj seance, është edhe shkarkimi i ministrit pa resorë për diasporë, Xhemail Çupi. Pas votimit të shkarkimit të tyre, Kuvendi do të fillojë debatin për zgjedhjen e anëtarëve të ri të Qeverisë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share