Kuvend: Momentalisht nuk ka shumicë për ndryshimet Kushtetuese

XHAFERI: ZGJEDHJET E PARAKOHSHME NUK JANË NË INTERES TË PROCESIT

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha sot gjatë një brifingu me gazetarët se, nuk ka shumicë adekuate për ndryshimet kushtetuese. Xhaferi nuk dha detaje se kur do të fillojë procedura për këtë, por theksoi se kur të pranojë propozimin për këtë çështje, është i gatshëm menjëherë të fillojë procedurën. I pyetur nëse do të ketë takim me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski për të biseduar për këtë temë, Xhaferi tha se nuk ka nevojë për një gjë të tillë.

“Nuk ka nevojë për takim direkt mes kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit që të bisedohet për këtë çështje për të cilën janë prononcuar publikisht edhe kryeministri edhe aktorët e tjerë se, momentalisht nuk ka shumicë adekuate dhe se po negociohet me të gjithë. Në momentin kur do të vlerësojnë se kanë kushte të ngritin iniciativë unë jam i gatshëm si kryetar i komisionit dhe i Kuvendit të veprojë sipas procedurës, pasi të pranohet iniciative më tutje” – tha Talat Xhaferi.

Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme eventuale në pranverë në interes të ndryshimeve kushtetuese, Xhaferi vlerësoi se duhet të shihet interesi i procesit.

“Vlerësoj se fillimisht duhet të shihet nga aspekti se a është ajo në interes të procesit të shtetit drejt Bashkimit Evropian. Nga konteksti im është ajo që interesi i procesit. Interesi i procesit është që të miratohen ndryshimet, të hapet rruga dhe të punojnë në afatin e caktuar kohor që të përmbushim atë që duhet ta përmbushim që sa më shpejtë të bëhemi anëtare e plotë e BE-së. Neve nuk na duhet shembull tjetër, na mjafton shembulli ynë me anëtarësimin në NATO” – deklaroi Talat Xhaferi.

Kujtojmë se, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, gjatë një konferencë për media të dielën, vendosi si kusht për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share