AKUZAT PËR KORRIDORET – GRUBI ME PADI PËR LEFKOVIN E VMRO-DPMNE-së
Kanë vazhduar akuzat e VMRO – DPMNE-së sa i përket tenderit për mbikëqyrje të projekteve për ndërtime të autostradave të korridorit 8 dhe 10, njofton KlanM.
Deputeti i kësaj partie, Mile Lefkov gjatë seancës për pyetje deputetësh, kërkoi përgjigje nga pushteti sa i përket dyshimeve të publikuara në opinion për korrupsion dhe keqpërdorime në lidhje me projektet në fjalë.
Sipas tij, mbi 2,2 milionë euro janë seriozisht të komprometuar sepse, kushtet mbi të cilat janë tenderuar, kanë ndryshuar në mes të procedurës që kompania me humbje të mund ta marrë tenderin.
“Sipas të dhënave të publikuara shihet se inxhinierët kryesorë të mbikëqyrjes do të duhet të marrin 2900 euro në muaj, ndërsa për mbikëqyrje të korridoreve 8 dhe 10, nga pozicioni i njëjtë marrin 7 herë më shumë, përkatësisht 20 mijë euro në muaj. Imagjinoni, ajo kompani që ka marrë licencën gjatë thirrjes publike, kompani e cila prodhon veshje të brendshme, brenda natës bëhet e përkëdhelura e pushtetit” – deklaroi Mile Lefkov, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, sic percjell KlanM, në përgjigjen e tij, i ka quajtur shpifje këto pretendime. Ai tha se, gjatë kësaj procedura janë respektuar të gjitha rregullat, ndërsa tha se ka dorëzuar padi për shpifjet e VMRO-së siç i ka quajtur ai.
“Është respektuar e gjithë procedura dhe ka kaluar nëpër të gjitha procedurat administrative në shtet. Madje, dy operatorët, po të kishin bazë për ankesën e tyre, do të ankoheshin në Gjykatën Administrative. Nuk u ankuan në Gjykatën Administrative, por i tërhoqën ato dhe vazhdoi puna, shpresoj se do ta mbështesni projektin” – tha Artan Grubi.
Ndërkohë, kryeministri Dimitar Kovaçevski, është pyetur edhe për masat e fundit në lidhje me ngrirjen e çmimeve. Deputetja e LSDM-së Marija Kostadinova pyeti nëse do të vazhdon ky trend edhe në periudhën vijuese. Kovaçevski u përgjigj se, po shqyrtohet ngrirja e çmimeve të pemëve dhe perimeve, ndërsa kanë konstatuar me ministrin e Ekonomisë se, duhet të ndërhyjnë edhe te çmimet e produkteve higjienike.
“Momentalisht kanë përfunduar analizat për ngrirjen e çmimeve të një pjese të pemëve dhe perimeve, që janë bërë nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe veç më i janë dorëzuar Ministrisë së Ekonomisë, ekipet e së cilës po i bëjnë analizat dhe mund të pritet që nesër në seancën e Qeverisë t’i shqyrtojmë propozim vendimet që kanë të bëjnë me ngrirjen e çmime edhe për një pjesë të këtyre produkteve” – deklaroi Kovaçevski.
Kujtojmë se, me vendime të Qeverisë, periudhën e fundit ka pasur ngrirje të çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë, pastave, orizit dhe vezëve. Këto masa, shkaktuan reagimet e afaristëve, të cilët i vlerësuan si të dëmshme për biznesin e tyre. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Teuta Buçi