Kush janë 3 ushtarët që u vranë në sulmin me dron në bazën amerikane

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka bërë publik emrat dhe fotot e 3 ushtarëve që mbetën të vrarë në sulmin me dron, në një bazë ushtarake amerikane në Jordani të shtunën. Viktimat janë Kennedy Sanders 24 vjeç, Breonna Moffett 23 vjeçe, William Rivers 46 vjeç. Gjatë një konference për shtyp, Pentagoni njoftoi po ashtu se numri i të plagosurve kishte shkuar në 40.

Trupat amerikane ishin në ambientet ku flinin gjumë, kur u sulmuan, pa paralajmërim. Droni mësohet se mbërriti në të njëjtën kohë kur po kthehej një dron amerikan. Për pasojë elementët e sistemit të mbrojtjes ishin të fikura.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka bërë përgjegjës grupet militante të mbështetura nga Irani. Zëdhënësi për sigurinë kombëtare, John Kirby, në një intervistë për CNN, u zotua për një “përgjigje shumë konsekuente”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin shprehu zemëratën dhe keqardhjen e tij për vdekjen e ushtarëve dhe shtoi se administrata do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur SHBA dhe trupat e saj.

Ndërkohë më herët, Irani mohoi se qëndronte pas këtij sulmi, duke i cilësuar akuzat e Amerikës të pabaza dhe tha se nuk ishte i përfshirë në ‘vendimmarrjet e grupeve të rezistencës’.

Për sulmin përgjegjësinë e ka marrë një grup milicie me bazë në Irak, i quajtur Rezistenca Islamike./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share