Narges Safie Mohammadi është një aktiviste iraniane për të drejtat e njeriut, shkencëtare dhe nënkryetare e Qendrës Mbrojtës të të Drejtave të Njeriut.
Sot, ajo fitoi Çmimin Nobel për Paqe “për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe luftën e saj për të promovuar të drejtat e njeriut dhe lirinë për të gjithë”.
Në maj 2016, ajo u dënua në Teheran me 16 vjet burgim për krijimin dhe drejtimin e “një lëvizjeje për të drejtat e njeriut që bën fushatë për heqjen e dënimit me vdekje”.
Gjatë karrierës së saj universitare, ajo shkroi artikuj në mbështetje të të drejtave të grave në gazetën studentore dhe u arrestua në dy takime të grupit të studentëve politikë Tashakkol Daaneshjuyi Roshangaraan (“Grupi Studentor i Iluminuar”).
Ajo vazhdoi të punojë si gazetare për disa gazeta reformiste dhe botoi një libër me ese politike të titulluar Reformat, Strategjia dhe Taktikat.
Në vitin 2003, ajo iu bashkua Qendrës Mbrojtëse të të Drejtave të Njeriut, të kryesuar nga laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi. Ajo më vonë u bë nënkryetare e organizatës.
Mohammadi u arrestua për herë të parë në 1998 për kritikat e saj ndaj qeverisë iraniane dhe kaloi një vit në burg.
Në prill 2010, ajo u thirr në Gjykatën Revolucionare Islamike për anëtarësimin e saj në DHRC. Ajo u lirua për një kohë të shkurtër me kusht prej 50,000 dollarësh, por u arrestua përsëri disa ditë më vonë dhe u mbajt në burgun “Evin”.
Shëndeti i Mohammadit u përkeqësua ndërsa ishte në paraburgim dhe ajo zhvilloi një sëmundje të ngjashme me epilepsinë, duke e bërë atë të humbiste periodikisht kontrollin e muskujve. Pas një muaji, ajo u lirua dhe u lejua të shkojë në spital.
Në korrik 2011, Mohammadi u procedua përsëri penalisht, dhe u shpall fajtore për “veprim kundër sigurisë kombëtare, anëtarësim në DHRC dhe propagandë kundër regjimit”.
Në shtator, ajo u dënua me 11 vjet burgim.
Ndërsa Mohammadi deklaroi se ajo kishte mësuar për vendimin vetëm përmes avokatëve të saj dhe i ishte dhënë “një vendim i paprecedentë 23 faqesh i lëshuar nga gjykata, në të cilin ata i krahasonin vazhdimisht aktivitetet e mia për të drejtat e njeriut me përpjekjet për të rrëzuar regjimin”.
Në mars të 2012, dënimi u la në fuqi nga një gjykatë e apelit, megjithëse ai u reduktua në gjashtë vjet ndërsa me 26 prill, ajo u arrestua për të filluar dënimin e saj.
Ky dënim u kundërshtua nga Ministria e Jashtme Britanike, e cila e quajti atë një shembull tjetër i trishtuar i përpjekjeve të autoriteteve iraniane për të heshtur mbrojtësit e guximshëm të të drejtave të njeriut.
Edhe “Amnesty International” bëri thirrje për lirimin e saj të menjëhershëm.
Reporterët pa Kufij lëshuan një apel në emër të Mohammadit në përvjetorin e nëntë të vdekjes së fotografit Zahra Kazemi në burgun “Evin”, duke deklaruar se Mohammadi ishte një e burgosur, jeta e të cilës ishte “në rrezik të veçantë”.
Në korrik 2012, një grup ndërkombëtar ligjvënësish thirri për lirimin e saj, duke përfshirë Senatorin e ShBA Mark Kirk, ish-Prokurorin e Përgjithshëm kanadez Irwin Cotler, deputetin e Mbretërisë së Bashkuar Denis MacShane, deputetin australian Michael Danby, deputetin italian Fiamma Nirenstein dhe deputetin lituanez Emanuelis Zingeris.
Më 31 korrik 2012, Mohammadi u lirua nga burgu për t’u arrestuar sërish me 5 maj të 2015 – këtë herë me disa akuza të reja.
Dega 15 e Gjykatës Revolucionare e dënoi atë me dhjetë vjet burgim për akuzën e “themelimit të një grupi të paligjshëm” për “Legam”, pesë vjet për “mbledhje dhe bashkëpunim kundër sigurisë kombëtare”, një vit për “propagandë kundër sistemit” për intervistat e saj me mediat ndërkombëtare dhe takimin e saj në mars 2014 me Përfaqësuesen e Lartë të atëhershme të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.
Në janar 2019, Mohammadi u raportua se kishte filluar një grevë urie, së bashku me shtetasen britaniko-iraniane Nazanin Zaghari-Ratcliffe, në burgun “Evin” të Teheranit, për të protestuar ndaj mohimit të aksesit në kujdesin mjekësor.
Në korrik 2020, ajo u infektua me COVID-19, nga i cili dukej se ishte shëruar deri në gusht.
Më 8 tetor 2020, Mohammadi u lirua nga burgu.