Kush është huligani që u pa duke sulmuar KFOR-in në Zveçan? (VIDEO)

Protestues serbë u mblodhën sot nëpër katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, për t’i penguar kryetarët e rinj që ta ushtrojnë funksionin e tyre nëpër ndërtesat komunale.

Protestat shpejt u shndërruan në të dhunshme pasi që në mesin e tyre pati huliganë të cilët filluan të hidhnin mjete të ndryshme si koktej molotivi, shok bomba, mjete shpërthyese, gurë, shishe prej qelqi dhe gjësende të tjera në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe gazetarëve që kishin shkuar të raportojnë nga vendi i ngjarjes.

Në pajmet që i publikoi “Radio Evropa e Lirë”, shihen disa ushtarë të KFOR-it të rënë përtokë si pasojë e goditjeve që morën nga huliganët serbë.

Në një përgjigje për klankosova.tv, zyrtari për Informim i KFOR-it, Col Gallien, bëri të ditur se janë rreth 25 të plagosur nga kontingjenti shumëkombësh gjatë ndalimit të demonstruesve protestues që ndodhi në komunën e Zveçanit.

Këta ushtarë janë sulmuar kryesisht nga persona të maskuar, por ka pasur prej tyre edhe pa maska të cilët janë xhiruar nga mediat.

Madje njëri prej tyre, i cili me gjithë forcën godiste pjesëtarët e KFOR-it me shkop gome, del se është i njohur për autoritetet kosovare.

Sipas llogarisë “Patjetër” në Twitter, emri i tij është Dragan Smigiq. Tutje, kjo llogari thekson se personi në fjalë është polic serb i cili ka ardhur nga Rudarja e Serbisë për t’u përballur me forcat e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

Me një kërkim të emrit të tij në internet, del se Dragan Smigič është i njohur për autoritetet kosovare dhe se i njëjti kërkohet si i dyshuar për krime lufte.

Mediumi serb “Novosti” në një listë që e ka publikuar, ku pretendon se autoritetet kosovare i kanë shënjestruar rreth 600 emra si të dyshuar për krime lufte, aty figuron edhe emri i Dragan Smigiq.

Klan Kosova i ka dërguar pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës për të mësuar më shumë detaje rreth personit në fjalë dhe porsa të ketë informata shtesë, ato do të bëhen publike.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share