VMRO: FAJTORE QEVERISJA 7-VJEÇARE, LSDM – POLITIKAT E DËMSHME TË MICKOSKIT!
Pushteti dhe opozita edhe gjatë së dielës kanë këmbyer akuza të ndërsjella lidhur me vendimin e fundit të BE-së, për ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nga rruga evropiane.
VMRO-DPMN ka akuzuar LSDM-në se është fajtore për këtë vendim të Brukselit, pasi sipas tyre, për 7 vite kanë zhytur vendin në krim dhe korrupsion.
“LSD-ja ka bërë përpjekje maksimale që fillimisht të jemi bashkë me Shqipërinë, e më pas edhe Shqipëria të na tejkalojë. LSD-ja me vetëdije punon që Maqedonia të bllokohet, duke nisur nga marrëveshjet e nënshkruara nga Zaevi, duke përfunduar me krimin dhe korrupsionin që mbretëruan për shtatë vite. Gëzimi I LSDM-së nuk do të jetë I gjatë. Me VMRO – DPMNE-në pason transformimi ekonomik, sundimi i së drejtës dhe prosperiteti” – thonë nga VMRO.
Nga ana tjetër, LSDM-ja, përgjegjës për ndarjen e Tiranës dhe Shkupit, e bën VMRO-DPMNE-në dhe sic thonë, politikat e dëmshme të Kryeministrit Mickoski.
“Tani, pas debaklit shtetëror që ia bënë vendit, VMRO-DPMNE përpiqet që t`i mashtrojë qytetarët. Pas gjithë bllokimeve, obstruksioneve, destruksioneve, pas gjithë deklaratave të mundshme të tipit “Jo, faleminderit” në BE, sot VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në. LSDM-ja i zgjidhi kontestet e hapura, siguroi anëtarësim në NATO dhe solli Maqedoninë buzë BE-së. VMRO-DPMNE gjatë gjithë kohës bllokoi këto procese duke penguar integrimin evropian të vendit” – thonë nga LSDM.
Ndryshe, Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së njëzëri vendosën që më 15 tetor Shqipëria të hap klasterin e parë negociues, me cka edhe zyrtarisht ndahet Maqedonia e Veriut në rrugën eurointegruese. /tvklan.mk/