Kryeministri Albin Kurti, pas takimeve në Bruksel, njoftoi Qeverinë për zhvillimet. Ai theksoi se Marrëveshja Bazike është në sulm nga Serbia dhe insistoi që tri kushtet e vëna nga ai ishin të domosdoshme për një dialog në mirëbesim. Kurti këmbënguli për nënshkrimin dhe zbatimin e marrëveshjes, duke theksuar se vetëm kështu garantohet respektimi i saj.
“Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim. Në shkurt të vitit të kaluar u dakorduam për marrëveshjen bazike në Bruksel që u shpall si ligjërisht e obligueshme”, tha Kurti,
Ai tha gjithashtu se pas marrëveshjes që garanton që palët s’e sulmojnë njëra-tjetrën ndodhi sulmi terrorist në Banjskë.
“Ne kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar disa herë që të formalizohet me nënshkrim dhe deponim në organizatën e Kombeve të Bashkuara. Mirëbesimi në dialog dhe zbatim të marrëveshjes është humbur edhe me letrën e Bërnabiqit Ajo letër duhet të tërhiqet. Për të garantuar respektimin e marrëveshjes në të ardhmen duhet që ajo të nënshkruhet, sepse vetëm nënshkrimi garanton zbatimin e saj dhe të ketë tërheqje të letrës së Bërnabiq dhe nënshkrim të marrëveshjes nga Vuçiq. Në tri takime bilaterale ne paraqitëm këto kërkesa të garancisë që në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike që është në sulm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm për asnjërën, as të nënshkruajë marrëveshje, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as të dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq”, tha Kurti.