Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç do të takohen sot në Bruksel.
Takimi ndërmjet dy liderëve do të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrell dhe i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak.
Takimi mes Kurtit dhe Vuçiç pritet të nisë rreth orës 10:30 dhe ka si qëllim arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Përpos takimit kokë më kokë, Borrell do të zhvillojë edhe takime të ndara me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiç.
Një ditë më parë, Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë u takuan veçmas me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ky i fundit u shpreh se NATO, përmes trupave të KFOR në Kosovë, është gati të ndërhyjë nëse do të jetë e nevojshme.
Këto takime vijnë një javë pas tensioneve që ndodhën në veri të Kosovës nga popullsia serbe. /tvklan.al