Pas përfundimit të samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti foli për mediat. Ai u pyet në lidhje me deklaratën e Kryeministrit Edi Rama që “veriu i Kosovës është tokë e askujt”.
Sipas Kurtit, veriu i Kosovës është tokë e Kosovës. Sipas tij, Kosova ka nevojë për më shumë siguri dhe kjo do të thotë që trupat e NATO-s të patrullojnë së bashku me policinë e Kosovës në vijat kufitare. Kurti tha se është e qartë se si veprohet në raste tensionesh.
Pyetje: Keni koment për deklaratën e kryeministrit Rama që veriu i Kosovës është toka e askujt?
Albin Kurti: Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës dhe ne kemi nevojë për më shumë siguri për Kosovën, që do të thotë trupat e NATO-s të jenë në patrullime të përbashkëta me policinë e Kosovës meqenëse vija kufitare me Serbinë është 380 kilometra, është më e gjatë sesa vija kufitare me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut marrë së bashku. Policia e Kosovës është responderi i parë në rast tensionesh dhe përpjekjesh për destabilizim. Eulex-i i dyti, KFOR-i i treti. Policia e Kosovës është edhe në jug të Ibrit edhe në veri të Ibrit. KFOR nuk është institucion i zbatimit të ligjit, këtë e bën policia e republikës së Kosovës. Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës, integriteti territorial është i pacënueshëm, sovraniteti shtetëror mbrohet me qeverisje demokratike dhe me partnerët tanë do të kujdesemi për sigurinë kombëtare.
Kujtojmë që kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit të enjten e kaluar sqaroi deklaratën që kishte bërë për Financial Times ku i referohej veriut të Kosovës si “no man’s land”.
“Unë nuk kam shpresë se këto do ma lehtësojnë hë për hë akuzën si tradhtar, përderisa dhe një lapsus i prestigjiozes Financial Times, e cila në zbardhjen e intervistës sime të dhënë në telefon kishte harruar, sikur ia kishte shtyrë dorën djalli, fjalën veri përpara fjalës Kosovë, gjë që u korrigjua menjëherë, bashkë me ndjesën publike të gazetarit britanik, siç i takon një gazetari që e meriton këtë titull, që është një titull fisnikërie në ditët tona, unë e karakterizoja veriun e Kosovës, jo Kosovën sigurisht, me shprehjen angleze, “no man’s land”. Pse nuk qenka “no man’s land”, kur aty lulëzojnë aktivitete të paligjshme kriminale? Kur aty nuk ka asnjë kontroll dhe s’ka asnjë mundësi të parashikosh çfarë vjen nesër? Çfarë është kjo? Çfarë ishte Lazarati? “No man’s land”. Është shumë e thjeshtë. U nxorra nga konteksti me një frymë. U keqshfrytëzua me epsh të posaçëm nga gjithë sazexhinjtë dogmatikë dhe nga kalemxhinjtë e Prishtinës zyrtare dhe të Tiranës përfshirë dhe sazexhinjtë patetikë të planetit ‘non grata’ që e futën me vrap si provë në dosjen e aktakuzës mbi shërbimin tim ndaj Beogradit”, shprehej Rama.
Para se Rama të bënte këtë koment, Financial Times kishte publikuar një intervistë pas së cilës vetë gazetari që e shkroi, njoftoi lexuesit për një lapsus në citimin që redaksia i kishte bërë një fjalie të Ramës.
Fillimisht citohej se sipas Ramës, “Kosova është një pikë e nxehtë dhe me kalimin e viteve është bërë një tokë e askujt ku kombinohen të gjitha llojet e krimeve”. Gazetari sqaroi më pas se Kryeministri i referohet veriut të Kosovës dhe jo shtetit të Kosovës.
“E kemi ndryshuar këtë artikull për të sqaruar se kryeministri shqiptar po diskutonte problemet në veri të Kosovës, jo në të gjithë vendin”, sqaronte gazetari i Financial Times, Marton Dunai në rrjetin social X./tvklan.al