Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përderisa po qëndron në Athinë, është takuar me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Sipas njoftimit të zyrës së qeverisë, një ndër temat kryesore të këtij diskutimi ishin çështjet bilaterale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në zbatimin e reformave, transmeton Klankosova.tv.
“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor (EU Growth Plan), të prezantuar nga vetë Presidentja Von der Leyen në Bratisllavë, zbatimi i marrëveshjeve nga Tregu i Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe dialogu në Bruksel ishin ndër tema kryesore të diskutimit”, thuhet në njoftim.
“Kurti u shpreh se Kosova ka shënuar progres ekonomik edhe në këtë vit. Ai theksoi se rritja ekonomike reale për çerekun e parë të vitit 2023 është 3,9%. Në gjysmën e parë të 2023-tës të hyrat janë shtuar për 15,8%. Ndërkaq nënvizoi se inflacioni ka rënë nga 11,9% sa ishte në janar në 2,8% në qershor. Inflacioni këtë vit vlerësohet që të jetë në 5.2%”.
“Ai kujtoi takimin e Bratisllavës me 10 korrik për de-eskalim dhe theksoi se për rreth dy muaj nuk ka asnjë incident e as protesta të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës, ndërkohë që kemi edhe numër të shtuar të punëtorëve në ndërtesat komunale. Kosova ka zbatuar zotimet e saj dhe është e rëndësishme që BE të largojë masat”.
“Tutje, në bashkëbisedim ai i kushtoi vëmendje edhe rëndësisë së zbatimit të marrëveshjeve, duke përfshirë marrëveshjet në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal që janë nënshkruar në Berlin në nëntorin e kaluar si pjesë e Procesit të Berlinit”.
Kurti sonte do të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Mitsotakis, për liderët e Ballkanit Perëndimor, e cila po mbahet në 20-vjetorin e Samitit të Selanikut.