Kurti takohet me Plenkoviqin, diskutojnë për dialogun Kosovë – Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me homologun kroat Andrej Plenkoviq.

Sipas njoftimit të zyrës së Qeverisë, në takim ata folën për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë dhe potencialin që dy vendet kanë për thellim e konkretizim të mëtejmë të tyre.

Bisedë mes tyre ishte dhe dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, që është i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Folën edhe për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ku Kryeministri theksoi nevojën për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër”.

“Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin Plenkoviq për progresin dhe arritjet e vendit në rrafshin ekonomik dhe demokratik, me theks qeverisjen dy vjeçare”, thuhet në njoftim.

“Ai e uroi homologun e tij dhe Kroacinë që së fundmi u bë anëtarja e 20-të e Eurozonës dhe anëtarja e 27-të e zonës Schengen, teksa e cilësoi këtë si një arritje të madhe të Kroacisë dhe Kroacinë si një model për t’u ndjekur”.

“Të dy ndanë këndvështrimet e tyre mbi zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni, duke mbetur të përkushtuar për bashkëpunim të afërt, në shërbim të interesave të përbashkëta dhe në linjë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share