Kryeministri Albin Kurti ka thënë se po të ishin të varur nga Lista Serbe, deri më tani do bëhej një mocion mosbesimi.
Kurti tha se Qeveria e tij, nuk është e varur nga kjo parti si qeveritë e kaluara, raporton Ekonomia Online.
Ai në seancën e Kuvendit ku në rend të ditës është interpelanca për “Masat urgjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me situatën e krijuar në vend”, foli edhe për dorëheqjet e zyrtarëve serbë të Policisë.
Ai tha se nuk ka qenë vendim i tij, derisa tregoi se cila ka qenë arsyeja e dorëheqjeve.
“Çështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policorë nuk është vendim i imi, as i MPB-së, nuk është vendim politik. Vendim politik ka qenë dorëheqja politike. Për bindjen time, për arsye të paqena, thoshin morale dhe individuale e teksti krejt i njëjtë për secilin prej tyre. E njëjta krizë morale e individuale i kishte kapur kolektivisht bashkë secilin prej tyre me tekstin identik te dorëheqjes, ky është vendim politik. E përsëris thirrjen që asnjë serb të mos i braktisë institucionet. E tillë do të jetë edhe në ditët në vijim. Institucionet nuk janë të Qeverisë dhe të një komuniteti, janë të të gjithë qytetarëve të Republikës”, tha ai.
“Sikur të ishim në qeveritë e kaluara, ku shumica bëhej e varej nga Lista Serbe, me siguri që do kishte edhe mocion mosbesimi për ta rrëzuar qeverinë, por, ja që kjo nuk është e mundur tash. reciprociteti me targa, reciprociteti me letërnjoftime, do të ishte motiv i mjaftueshëm për ta që ta rrëzojnë qeverinë. Mirëpo ka ndodhur ndryshimi i madh, dhe besoj se të gjithë duhet të gëzohemi për faktin se Republika e Kosovës ka një qeveri e cila nuk varet për mazhorancën nga votat e Listës Serbe”. /EO