Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e 138 të Qeverisë e ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike, duke e cilësuar sulmin si të patolerueshëm dhe të papranueshëm.
Ai tutje tha se në një shoqëri demokratike nuk duhet lejuar asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë se liria e fjalës.
Kreu i Qeverisë ka kërkuar nga institucionet që ta trajtojnë këtë rast seriozisht që autorët të vihen para drejtësisë sa më parë.
“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha Kurti.
“Z. Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë, ndërkaq nga institucionet e vendit presim dhe kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur, ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë”, tha Kurti.
Syla është sulmuar fizikisht nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë.
Gazetari Syla ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa sipas deklaratave të tij të para për mediet, ka pësuar lëndime në kokë.