Kryeministri Kurti konfirmon miratimin
Kryeministri Albin Kurti ka arsyetuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës qëndrimin e tij pro propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve pa njohje reciproke në qendër.
Në raportimin e tij para deputetëve që u bë me kërkesë të LDK-së ai u ka thënë deputetëve se nuk do të diskutonte asgjë jokushtetuese.
Ai tha se termi “fqinjësi e mirë” në marrëveshjen bazuar në propozimin europian nënkupton njohje de facto. Kurti shtoi se edhe pse është pajtuar që të nënshkruajë, marrëveshja nuk është e pranuar ende, meqë s’ka nënshkrim.
“Nuk do të pranoja të nënshkruaja asgjë, që nuk është në përputhje me sistemin kushtetues e ligjor të Republikës apo diçka që synon territorializimin, monoetnicitetin apo krijimin e urave për ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës.“
Por partitë opozitare kanë kritikuar Kryeministrin se marrëveshja ka mungesë të njohjes në qendër të saj dhe ka neutralitetin ndaj statusit në vlerë si preambulë.
“Kjo marrëveshje Kurti-Vuçiç përveçse tejkalon trashëgëminë e së shkuarës në njërën anë, sjell neutralitetin ndaj statusit në anën tjetër.”
“Statusi i Kosovës është për ne, i rëndësishëm. Statusi i Serbisë, le të jetë i rëndësishëm për ta, por mos njohja e statusit tonë nga ana e Serbisë fatkeqësisht e ka pamundësuar anëtarësimin tonë në OKB.”
Partia tjetër opozitare AAK i ka dhënë përkrahje propozimit evropian.
“Prej Aleancës, sa i përket kësaj marrëveshjeje e ke mbështetjen mirëpo unë dyshoj se ti në moment të fundit do tërhiqesh.”
Kurti dhe Vuciç në takimin e 27 Shkurtit në Bruksel nuk arritën të nënshkruanin marrëveshjen pasi nuk pati pajtueshmëri nga presidenti serb për zbatimin e planit të BE-së. Takimi i radhës do të mbahet në Ohër./KlanNews