Kurti: Radoiçiq përgatit sulme tjera ndaj Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se, ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, bashkë me grupin e tij është duke u përgatitur për sulme të radhës në Kosovë.

Ai këto deklarata i bëri në një konferencë për media, ku tha se organizim po ndodhë në ambientet e një firme në Rashkë, ku Radojiçiq mban edhe takime me zyrtarë të BIA-s serbe.

Në objektin e firmës “Jablanovica” në Rashkë janë duke u mbajtur edhe armatimet e përgatitura për sulm në Kosovë dhe gjithashtu edhe pjesëtarët e mbrojtjes civile.

Kurti ka thënë se këta pjesëtarë të grupit terrorist të Radojiçiqit paguhen rreth 2 mijë euro në muaj, përveç akomodimit.

Më tej, Kurti ka theksuar se një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë – Novi Pazar me gjatësi prej 18 kilometrash.

“Urdhri për sulmin e 24 shtatorit i planifikuar dhe organizuar nga shteti serb, ishte kumtuar në mjediset e kompanisë “Novi Paza put”. Automjetet arsenali ishin të përqendruara në këtë lokacion. Kjo kompani që është e sanksionuar është e vëllezërve Veselinoviq dhe Radojçiq dhe drejtor është “Gërba” që ka marrë pjesë në luftërat e Kosovës, Bosnjës e Kroacisë, gjithashtu ka qenë drejtori i burgut të Nishit. Një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar Vuçiq, për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë-Novi Pazar. E kishte lavdëruar punën e drejtorit dhe i është referuar si njeriu më i shpejt. E përgëzoi edhe për përurimin e rrugës, tre muaj para kohe me nxitim. Aty Vuçiq tha se e ka të vështirë të gjej zgjidhje me njerëzit nga Kosova, duke mu referuar mua. Ai aty akuzonte për sulm, sepse po përgatiste sulm. Gjë që ndodhi më 24 shtator”.

“Pas sulmit, Radojçiq u lirua nga nga Gjykata sere në kohë rekorde. Ai tani po organizon sulme të tjera me pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”. Ai po mban takime me BIA-n, në ambientet e firmës Jablanovica në Rashkë po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoicic dhe grupi i tij. Në këtë ndërtesë strehohen pjesëtarë të mbrojtjes civile që kryejnë vëzhgime, e që instruktor e kanë Uglejsha Jarenicin. Ata po strehohen dhe përveç akomodimit, ata paguhen rreth 2 mijë euro në muaj”, ka thënë Kurti.

Tutje, Kurti ka potencuar se trajnimet drejtohen nga ushtarakët e pensionuar serbë të cilët kanë grada të larta ushtarake dhe të cilët kanë njohuri shumë të mira për Kosovën pasi që mbase edhe kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së luftës në Kosovë.

“Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërorë dhe për snajperistë. Gjatë muajit nëntor 2023, ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të Zubin Potokut me qëllim marrjen e vilës së Radoiçiqit në brigjet e Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi”, ka shtuar Kurti.

“Plani paraprak për sulme hakmarrëse ndaj Policisë së Kosovës, kemi marrë vesh se ka ndryshuar pas intensifikimit të patrullimit të përbashkët mes PK-së dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë dhe masave të tjera të ndërmarra nga ne. Ndërkaq në poligonin e ushtrisë serbe në Peshter i cili gjendet në rajonin e Sanxhakut kanë rifilluar ushtrimet e një grupi prej 60 pjesëtarëve të mbrojtjes civile që kanë qenë pjesëmarrës në sulmin në Banjskë”, kë thënë ai më tej.

Ky grup, sipas Kurtit, kishte planifikuar sulme ndaj Policisë së Kosovës pas përfundimit të zgjedhje në Serbi në lokacione kufitare që lidhen me rrugët alternative.

“Për këtë qëllim raportohet të ketë pasur lëvizje edhe nga ushtria e Serbisë e cila ka stacionuar ushtarët e saj në disa pika në afërsi të kufirit me Kosovën në lokacione ku parashihen këto sulme. Pjesëtarët e grupeve terroriste që kanë ikur nga veriu janë grumbulluar edhe në një vend të tjetër të quajtur Goc, një bjeshkë afër Kralevës ku është e vendosur një nga bazat më të mëdha të xhandarmërisë serbe në rajon”, ka thënë ndër të tjera kryeministri Albin Kurti.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share