Kurti – QUINT-it: Euroja është valuta e vetme e lejuar në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka thënë ambasadorëve të shteteve të QUINT-it dhe shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë gjatë një takimi të premten se valuta e vetme e lejuar për përdorim në transaksionet me para ta gatshme është euroja, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ta ndaluar dinarin serb.

Javën e kaluar, BQK-ja lëshoi një rregullore, e cila kërkon që të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë, të bëhen me euro, nisur nga 1 Shkurti. Kurti u ka kërkuar vendeve të QUINT-it ta respektojnë vendimin e Bankës Qendrore, sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës të premten vonë.

“Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, thuhet në njoftim.

Takimi i Kurtit me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, vjen pak ditë pasi SHBA-ja i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës ta rishqyrtojë vendimin e BQK-së për dinarin, ndërsa Bashkimi Evropian i kërkoi sqarime për të.

Për më shumë se dy dekada, të inkurajuar nga Beogradi, banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e shfrytëzuan monedhën serbe për gjithçka – nga rrogat dhe pensionet deri te pagesat në dyqane dhe restorante.

Sipas vendimit të BQK-së, tani dinarët do të mund vetëm të mbahen në llogari bankare ose të shkëmbehen në Euro. Për këtë vendim, ajo u thirr në përcaktimin e Kushtetutës së Kosovës për “një monedhë të vetme” si mjet i vlefshëm pagese. Në këtë pjesë të Kushtetutës, që e përfshin Neni 11, u thirr të mërkurën edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Kushtetuta, ose është e shenjtë dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë ‘cherry picking’ (përzgjedhje më të favorshme). Nëse duhet të bëjmë ‘cherry picking’, po e bëjmë ne. Nëse duhet të zbatohet, atëherë insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, tha Bislimi në një konferencë për media me ministrin çek për Çështje Evropiane, Martin Dvorak, në Prishtinë më 24 shtator.

Për vite me radhë, Dinarët arritën në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës. Ato para, pastaj, i transportonte kompania për transport të parave “Henderson”.

Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, nuk e priti mirë vendimin e BQK-së dhe, përmes një deklarate të lëshuar më 18 Janar, tha se ai rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Sipas Listës Serbe, politikëbërësit kosovarë po përpiqen t’i dëbojnë serbët “pa përdorur armë”./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share