Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se autoritetet janë duke bërë çdo gjë për t’i liruar tre policët kosovarë që u rrëmbyen nga forcat serbe në Leposaviç më 14 Qershor. Nga Ferizaj, Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të dënojnë agresionin serb më 14 Qershor, kur njësiti i tyre ‘Kobra’ i ushtrisë rrëmbeu policët që po mbyllnin rrugët e kontrabandës në veri në zonën kufitare në Leposaviç.
Javën e ardhshme shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, pritet që t’i vizitojë tre policët e rrëmbyer.
Zëdhënësja e NATO-së, Oana Lungescu, ka thënë se aleanca veriatlantike po merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, siç autorizohet me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke përfshirë respektimin e vijës administrative kufitare si dhe Marrëveshjen e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Veri.
Departamenti Amerikan i Shtetit, qeveria gjermane dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte policët e Kosovës të rrëmbyer nga xhandarmëria serbe.
Klan News