Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit.
Sipas tij, në këtë ngjarje u masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit.
“Më 19 korrik 1998, ushtria dhe polica serbe vrau, dogji, plagosi, rrahu e maltretoi, mori peng dhe zhduku me dhunë civilë shqiptarë të Rahovecit. Ekzekutimet vijuan për disa ditë me radhë. U masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
“Në përpjekje të fshehjes së krimeve, forcat serbe hapën dy gropa të mëdha në Rahovec dhe i hodhën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj masakre. Por nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore”, ka thënë ai tutje.
Sipas tij, për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, po themelohet Instituti i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, përkujtojmë 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit”, ka thënë më tej Kurti.
“Nderojmë të mbijetuarit që u bënë ballë plagëve në trup e në shpirt. Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës!”, ka përfunduar ai.