Kurti për zhvillimet e fundit: S’bëhet fjalë për targa, por për kundërshtimin e nismës franko-gjermane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të gjitha reagimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për situatën e fundit në veri të vendit, janë si pasojë e kundërshtimit të draft-dokumentit franko-gjerman për dialogun.

Ai, me anë të një konferencë për media, sot ka theksuar se Serbia është duke gënjyer dhe zhgënjyer ShBA-në dhe BE-në me këto zhvillime që ,sipas tij, janë duke u organizuar nga Beogradi.

“Ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet dhe përpjekjet e Serbisë dhe të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për destabilizimin e situatës në vendin tonë. Këto kërcënime janë të orientuara ndaj qytetarëve të vendit tonë, nëpërmjet ngjalljes së frikës dhe panikut”.

“Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të shtunën, presidenti atje pati takime të ndara me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës. Kjo tregon qartë se presidenti i Serbisë takohet dhe koordinohet qartë me Rusinë dhe Kinën,ndërsa gënjen dhe zhgënjen ShBA-të dhe BE-në.

“Prandaj, edhe çfarë po ndodh tani shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për ta amballazhuar kundërshtimin e nismës frankogjermane. Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve, as për Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, as për suspendimin e Nenad Gjuriqit bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ja kanë bërë të propozimit të Parisit dhe Berlinit, tash duhet ta kamuflojnë këtë refuzim që ia kanë bërë Evropës, për këtë po i përdorin ata që ende vazhdojnë t’i dëgjojnë në Republikën e Kosovës, pra pjesëtarë të ndryshëm të strukturave ilegale”, ka thënë Kurti.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share