Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se vizitat në komunat veriore nuk bëhen kundër askujt, por ato janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat e qytetarëve atje.
Në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë, ai shtoi se në veri të vendit po bëhen investime që siç tha ai, nuk janë bërë në dy dekada.
“Dje bashkë me Xhelal Sveçlën dhe Elbert Krasniqin ishim në një vizitë në komunën e Leposaviqit, përkatësisht në fshatrat Bistricë, Cërajë dhe Leshak dhe më pas në komunën e Mitrovicës së Veriut. Vizitat tonë të zyrtarëve shtetërorë në këto komuna nuk janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë pasi ta kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin qeveria jonë angazhohet që nga dita e parë e saj. Pikërisht për t’i flakur paragjykimet e ndërsjella, dhe për të kuptuar sesa anash janë lënë qytetarët atje, ne po i bëjmë këto vizita të cilat janë vizita pune. Atje po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekada, po shtohen shërbime që u kanë munguar qytetarëve”, u shpreh shefi i qeverisë, njofton Klankosova.tv.
Kurti bashkë me Sveçlën dhe Krasniqin ishin dje në Leshak për ta vënë gurthemelin e stacionit të ri policor atje. Pas kësaj ngjarjeje, ata u panë edhe në një “fast food” i cili është hapur së fundmi në veri, njofton Klankosova.tv.