Kurti për raportet me ShBA-në: S’kemi marrëdhënie sikurse gjyshi me nipin

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë “sikurse ato të gjyshit me nipin”, derisa i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për raportet ndërmjet të dy vendeve.

Në konferencën për media të mbajtur të hënën, shefi i qeverisë ka kritikuar gazetarët për leximin, sipas tij, të pasaktë të komunikatës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara lidhur me procesin e regjistrimit të veturave dhe situatës në veri.

I pyetur nëse “Kosova po prishet me Amerikën”, Kurti ka reaguar: A do ta dëgjoni Amerikën? A po prishemi me Amerikën? A po kupton! Nuk ndodhin këto gjëra. Nuk kemi ne këso raporte me ShBA-të sikurse gjyshi me nipin. Unë nuk e di kush po ua lexon, se nuk besoj që e keni lexuar vet e po interpretoni kështu”.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta. ShBA-të i kemi miq e partnerë. Miqtë e partnerët nuk shkruajnë komunikata sikurse ato të cilat i cituat ju”, tha Kurti.

Sipas kryeministrit, mënyra se si është duke u raportuar që ka Kosova marrëdhëniet me SHBA-të është ofendim edhe për këtë shtet.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kemi miq dhe partnerë, pra miqtë dhe partnerët nuk shkruajnë asi komunikatash çfarë i cituat ju, pra nuk ekziston raporti i tillë i ynë për besë kjo mënyrë është edhe ofendim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share