Kurti: Për një vend pune në Luginë aplikuan 9 shqiptarë e 1 serb – u pranua ky i fundit

Kryeministri Albin Kurti është ankuar për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Në një postim në X, ish-platforma Twitter, ai ka treguar se si dy qytete me shumicë shqiptare, Presxheva dhe Bujanoci, nuk kanë spital.

Sipas tij, banorët e atjeshëm detyrohen të shkojnë në Vranjë, “ku nga 700 punonjës nuk ka asnjë shqiptar”.

Madje ai ka treguar edhe për diskriminimin anti-shqiptar që ndodh në Serbi për sa i përket punësimit.

“Për një konkurs të hapur së fundi për mjek, aplikuan 10 — 9 shqiptarë dhe 1 serb. Ky i fundit u punësua. Ky është vetëm një shembull i diskriminimit antishqiptar, i cili përfshin gjithashtu privimin e fëmijëve nga librat shkollorë, censurimin e shprehjes artistike dhe spastrimin etnik me mjete administrative”, deklaroi Kurti, raporton Klankosova.tv.

Kryeministri përmendi edhe fshirjen e banorëve shqiptarë nga listat e votuesve në Serbi, “dhe për këtë arsye nuk mund të votojnë, të punojnë, të blejnë prona apo t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë”.

Por, ai tha se për këtë shkak, Kosova nuk mund të diskriminojë.

“Komuniteti shqiptar në Serbi ka nevojë për të njëjtën vëmendje si komuniteti serb në Kosovë. Kjo është vetë premisa e të drejtave të pakicave – se përkatësia etnike nuk mund dhe nuk duhet të përcaktojë vlerën tuaj ose mungesën e saj në një vend”, potencoi kryeministri Albin Kurti.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share