Kurti për NBC: S’e përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kështu ka thënë ai në një intervistë me gazetarin amerikan Chuck Todd në kuadër të emisionit “Meet the Press Now” në NBC, duke theksuar se zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe demokratike.

“Kryetarët e rinj duket se nuk e kanë legjitimitetin e mjaftueshëm për shkak të pjesëmarrjes së vogël të votueseve në zgjedhje. Ne kemi bërë thirrje që të gjithë të marrin pjesë, por Beogradi ka kërkuar nga qytetarët serbë që t’i bojkotojnë zgjedhjet e 23 Prillit”.

“Nuk e përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme, por ato duhet të jenë të drejta, demokratike dhe të lira”.

Sipas Kurtit, serbët e Kosovës duan që të marrin pjesë në zgjedhje, por nevojitet që Beogradi të mos i bullizojë ata.

“Beogradi do që Lista Serbe ta prezantojë komunitetin serb. Prandaj ne insistojmë që të ketë fushatë të hapur dhe ne shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar do të na ndihmojë në këtë drejtim”.

Kujtojmë se në fund të muajit Maj, u krijuan tensione në veri të Kosovës me protestuesit serbë që nuk i lejonin kryetarët e rinj të katër komunave me shumicë serbe t’i ushtronin detyrat e tyre nga objektet komunale.

Si rrjedhojë, u desh të ndërhyjë Policia e Kosovës, e më pas edhe KFOR-i prej të cilëve 30 morën lëndime trupore gjatë përplasjes me protestues të dhunshëm serbë.

Të enjten (01/06/2023) gjatë një takimi në Moldavi, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani, që sa më parë të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto katër komuna në mënyrë që të qetësohet situata.

Borrell ka kërkuar po ashtu që të sigurohet se serbët marrin pjesë në procesin zgjedhor si dhe sa më parë të fillohet me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe./klankosova

Lexo gjithashtu
Total
0
Share