Kurti për CNN: Nuk ia dorëzoj demokracinë tonë një milicie fashiste

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se demokracinë e vendit nuk do t’ia dorëzojë një milicie fashiste, duke iu referuar veprimeve të dhunshme të protestuesve serbë në veri të vendit.

Në një intervistë për CNN International, Kurti tha se komuniteti ndërkombëtar e njohu rezultatin e zgjedhjeve për kryetarët e komunave në veri të Kosovës.

“Të gjithë ndërkombëtarët i kanë pranuar rezultatet. Kryetarët duhet të shkojnë në zyra. Po punoj me faktorin ndërkombëtar, veçanërisht me SHBA dhe BE të cilët i konsiderojmë miqtë më të rëndësishëm, por nuk do t’ia dorëzoj demokracinë tonë një milicie fashiste”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Albin Kurti e konsideron histori suksesi Kosovën që pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, dhe këtë nuk e pranon vetëm Serbia dhe Rusia, sipas tij.

“Në Kosovë 4 për qind e minoriteteve janë serbë, 93 për qind e popullsisë janë shqiptarë, ndërsa 3 përqindshi tjetër i popullsisë i takon minoriteteve të tjera që janë boshnjakë, turq, kroatë, romë, ashkali dhe egjiptianë. Nuk mund të ketë privilegj vetëm për një minoritet në Kosovë. Serbia është ajo që po e vajton akoma humbjen e Kosovës në vitin 1999 kur ndërhyri misioni i NATO-s. Kosova është një histori suksesi”.

Sa i përket asociacionit të komunave serbe, Kurti theksoi se duhet të formohet sipas Kushtetutës së Kosovës. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share