Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Zëvendës Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jon Finer.
Në këtë telefonatë, Kurti ka paralajmëruar se është pajtuar për zgjedhje të reja në komunat veriore të vendit, raporton Klankosova.tv.
“E falënderova për telefonatën e tij dhe shpreha përkushtimin tim për të punuar me ShBA-në për të ulur tensionet. Kjo kërkon një përfundim të menjëhershëm të dhunës nga turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër oficerëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në ato komuna”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Kujtojmë se sot, presidentja Osmani ka zhvilluar takime me presidentin Macron dhe kancelarin Scholz, ndërsa më pas një takim edhe me presidentin e Serbisë, Vuçiq në Moldavi.
Në këtë takim i pranishëm ka qenë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili përmes një cicërime, tha se i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës.
“Zgjedhje të reja lokale tani; Sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje; Fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe përbrenda Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
“Dështimi për t’i bërë këto, do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet tona”, tha Borrelli.
Kërkesën për zgjedhje të reja e ka paraqitur edhe Macroni në një konferencë për media pas takimeve me Osmanin e Vuçiqin. /KlanMacedonia/