Beogradi: Kemi përcaktuar “vijat e kuqe” për Kosovën
Pavarësisht thirrjeve nga vendet partnere, Albin Kurti nuk ka ndërmend të tërhiqet nga linja e ndjekur deri më tani për situatën në veri të Kosovës. Në fjalën e tij në samitin e Bratislavës për sigurinë globale, Kurti akuzoi protestuesit si fashistë, ndërsa mbrojti qasjen e Policisë së Kosovës.
Sipas Kurtit, dhuna nxitet nga jashtë Kosovës.
Albin Kurti: Ne shohim njerëz të dhunshëm që përkrahin dhe adhurojnë Putinin. Disa prej tyre kanë qenë policë në Serbi dhe kanë ardhur në Kosovë për të ushtruar dhunë.
Ndërsa ministri serb i mbrojtjes Millosh Vuçeviç akuzoi Kurtin si shkaktar të dhunës në veri të Kosovës dhe nuk përjashtoi mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake serbe.
Millosh Vuçeviç, ministër i Mbrojtjes i Serbisë: Serbia ka përcaktuar disa vija të kuqe, nëse kërcënohen interesat kombëtare dhe shtetërore. Po flasim… Zoti na ruajt… për raste kur vriten serbë. Në këtë rast, Serbia nuk mund të rrijë duarkryq.
Megjithatë, prioritet është zgjidhja paqësore e kësaj situate. Sipas ministrit serb, presidenti Aleksandër Vuçiç ka biseduar me zyrtarët perëndimorë të përfshirë në procesin e dialogut me Kosovën për të gjetur një zgjidhje politike, për të shmangur konfliktin e armatosur.
Tv Klan