Kurti: Nuk tërhiqemi përballë kriminelëve

Duke folur për situatën aktuale në veri, kryeministri i Kosovës në Forumin e Prespës për Dialog bëri të ditur se nuk e ka ndërmend të tërhiqet, siç i quan ai, para kriminelëve serb, informon KlanM.

“Unë nuk do t’ua dorëzoj një republikë demokratike milicisë fashiste, nacionalistëve të dhunshëm, bandave kriminale. Ne nuk do të tërhiqemi përballë këtyre kriminelëve që kemi përcaktuar se kanë qëlluar kundër ushtarëve të NATO-s, policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata duhet të përballen me drejtësinë. Unë nuk i barazoj protestat e dhunshme në veri me komunitetin serb. Unë kam një ministër nga komuniteti serb në qeverinë time. Unë dua që serbët t’i kenë të gjitha të drejtat e tyre, do t’i dëgjoj kërkesat e tyre, por nuk do t’i kompensoj Beogradit zyrtar për humbjet që i janë shkaktuar Serbisë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Është një çështje krejtësisht tjetër”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Kurti shtoi se Serbia duhet të heqë dorë nga ndërhyrjet në ish republikat jugosllave.

“Të gjitha ish-republikat jugosllave shpallën pavarësinë dhe kjo ishte pavarësia nga Beogradi. Tani na duhet që Serbia të shpallë pavarësinë nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga Kroacia, nga Sllovenia, nga Mali i Zi, sepse Serbia de-jure e njeh pavarësinë e tyre, por nuk e bën këtë de-facto. Tani jemi në një kohë të vështirë” – tha Kurti. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share