“Çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u përpoq një ditë pas tensioneve në veri të qetësojë partnerët ndërkombëtarë. Me një postim në rrjetet sociale kryeministri tha se i kupton shqetësimet e partnerëve lidhur me situatën e krijuar në tri komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Kurti tha se ndërtesat e komunave janë të shtetit të Kosovës, prandaj ato, sipas tij, nuk “janë marrë dje dhe nuk do të merren asnjë ditë tjetër”.
“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj, do të ishte mospërmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës, dhe do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarët”, theksoi Kurti.
Kurti i ftoi të gjithë, veçanërisht qytetarët serbët e Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj.
Pavarësisht tensioneve të së premtes, rrugët në veri janë që të gjitha të hapura e të qarkullueshme për qytetarët.
Këmbëngulja e kryeministrit Kurti për të futur në zyra kryetarët e rinj mori kritika të ashpra nga partnerët. E fundit, NATO-ja nëpërmjet zëdhënëses Oana Lungescu, u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të çtensionojnë menjëherë situatën në veri.
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të çtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta zgjidhin situatën përmes dialogut. Misioni i NATO-s, KFOR-i, vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurt”, tha Oana Lungesku, zëdhënëse e NATO-s.
Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, AntonyBlinken, dënoi fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, që sipas tij, po përshkallëzojnë tensionet në veri, duke paralajmëruar se do të kenë “pasoja në marrëdhëniet dypalëshe” të SHBA-së me Kosovën.
Edhe Bashkimi Evropian dënoi përleshjet në veri, duke kërkuar ndërmarrjen e masave për uljen e tensioneve./KlanNews
GAZETAR: LEFTION PERISTERI