Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të dielën transmetuesit britanik BBC, se, nuk mund të bëjë kompromis me republikën demokratike, dhe se ndërtesat komunale në tri komunat në veri – Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan – janë asete të Republikës së Kosovës.
Duke i komentuar tensionet e fundit në veri, Kurti ka thënë se Kosova mund ta zvogëlojë numrin e zyrtarëve policorë në ndërtesat komunale, nëse paraprakisht, ato, që ai i ka cilësuar banda – të financuara nga Beogradi – të shkojnë “ose në Serbi, ose në burgje”.
“Në këto tri komuna, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan, i kemi tri ndërtesa, dhe nëse jo kryetarët, atëherë kush duhet të jetë në to? Nëse nuk janë për kryetarët, kujt i shërbejnë ato? Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kështu duhet të jetë. Ato ndërtesa janë asete të Republikës së Kosovës. Dikur kanë qenë struktura paralele të Serbisë, por ato janë struktura ilegale, të krijuara me fonde të Beogradit zyrtar, i cili dëshiron ta destabilizojë shtetin tonë, me idenë e Beogradit për të krijuar një botë të madhe serbe. Ne e kundërshtojmë diçka të tillë”.
Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Pjesëtarë të komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, të cilat i kanë fituar kandidatët shqiptarë. Më 29 Maj, protesta ka përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.
Përgjatë bisedës, Kurti e ka pranuar se kryetarët e rinj kanë legjitimitet të zbehtë, por ka thënë se, megjithatë, “të tjerët nuk kanë aspak”. Faktori ndërkombëtar e ka shtuar presionin ndaj Qeverisë së Kosovës, duke i kërkuar tërheqjen e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë dhënë shenja se mund të organizohen zgjedhje të reja.
Kurti është pyetur edhe për qëndrimet e faktorit ndërkombëtar lidhur me vendimet e tij dhe nëse ai është i shqetësuar nga diçka e tillë.
Ai ka thënë se Kosova i konsideron Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, dhe aleatët e Perëndimit si “aleatë të domosdoshëm, dhe që ua ka borxh çlirimin dhe pavarësinë”.
“Por, ne nuk mund t’ia dorëzojmë republikën tonë demokratike një milicie fashiste, e cila paguhet nga një autokrat në Beograd”.
Escobar: Tensionet në veri kanë qenë të shmangshme
Para Kurtit, paraprakisht për BBC-në është deklaruar dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai ka thënë se përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës, ka qenë i shmangshëm.
“Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar. Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa tjera prej të cilave mund të bëhet puna, dhe nëse asgjë tjetër, pandemia e koronavirusit na ka mësuar që mund të punojmë edhe nga lokacione alternative”.
Ai ka thënë se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për t’u koordinuar me Qeverinë e Kosovës, kanë hasur në rezistencë.
“Nuk ka pasur nevojë që të shkohet në ato ndërtesa. Ato nuk e kanë ndonjë vlerë reale. Ato janë kryesisht të thata tani. Kurti na ka siguruar që ata kryetarë do të ushtrojnë vetëm autoritetet administrativ, për të kryer shërbime bazike komunale”.
Escobar ka përsëritur se duhet të thyhet cikli i dhunës dhe se të dyja palët, si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë përgjegjësi për të vepruar në atë drejtim.
“Shumë pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar janë duke e parë këtë situatë si përbalje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por na duhet ta kujtojmë se këtu ekziston edhe një dështim për arritur pajtim etnik brenda Kosovës. Ne i kemi inkurajuar të dyja palët që të angazhohen në dialog”.
Më 30 maj, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se si pasojë e moskoordinimit të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në, për veprimet në veri, Prishtina është përjashtuar nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të aleatëve të NATO-s në rajonin e Ballkanit, Defender Europe 2023.
I pyetur se çfarë kërkon aktualisht SHBA-ja nga Kurti, ai ka thënë se kryeministrit të Kosovës i janë dhënë shumë porosi.
“Ne e kemi porositur atë që t’i tërheqë kryetarët nga ndërtesat komunale, që t’i largojë zyrtarët policorë nga ndërtesat, dhe që më pas, me urgjencë, të nisin diskutimet për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Një ditë më parë, Bashkimi Evropian, po ashtu, ka kërkuar nga Kosova që t’i pezullojë operacionet policore në afërsi të komunave, dhe ka kërkuar që Kosova të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat në veri.
BE-ja ka thënë se pret që edhe pjesëtarë të komunitetit serb të marrin pjesë në to.
Sa i përket Serbisë, faktori ndërkombëtar nga kërkuar nga ky shtet që të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake, dhe që të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.
Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar./REL