Në kazermën “Adem Jashari” të premten u bë betimi i 15 kadetëve të rinj të gjeneratës 2023 të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ani se Komandanten Supreme, Vjosa Osmanin, nuk e patën prezente, për studentët tashmë të diplomuar foli gjatë kryeministri Albin Kurti. Ai tha se diplomimi i tyre jep shpresë për të ardhmen por, sipas tij edhe i bënë krenarë për të kaluarën.
I pari i ekzekutivit tha se ushtria po modernizohet derisa numri i ushtarakëve veç po shtohet, njofton KlanKosova.tv
“Ne nuk e shtojmë ushtrinë për t’i sulmuar të tjerët, por për ta mbrojtur veten”, tha Kurti.
Ndërkohë, Albion Ajvazi nga Qendra për Studime Universitare, tha se arritja deri në këtë pikë nuk ka qenë e lehtë meqë programi është rigoroz dhe shumë i ngjeshur, por që sipas tij ka për qëllim që nga mësimet të nxjerrin kadetë kompetentë.
Kadeti më i dalluar i gjeneratës u shpall Arianit Hoxha, që u zotua se ai dhe kolegët e tij do ta mbrojnë tokën që ua lanë të parët me mend e me shpirt.