Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në diplomimin e kadetëve të rinj të FSK-së, ku tha se diplomimi i sotëm, vendit i jep shpresë për të ardhmen e krenari për të kaluarën.
Kurti tha se nga shkollimi në flakë të luftës, nëpër fazat e shtet-ndërtimit, Ushtria e Kosovës po vazhdon të zhvillohet e modernizohet.
“Burimet njerëzore janë boshti kurrizor i çdo ushtrie e personeli i trajnuar dhe edukuar është bazë për zhvillimin dhe ndërtimin profesional të sistemit të mbrojtjes”. Të dashur kadetë, nga sot jeni të gatshëm që përveç gradës së oficerit, mbi supet tuaja të bartni edhe përgjegjësitë që u janë besuar për ta mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës, ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe mbështetjen e paqes e sigurisë në rajon e botë”, tha Kurti.
Më tej, kreu i qeverisë paralajmëroi se FSK-ja, në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e NATO-s.
“Mundi dhe përpjekjet 4-vjeçare sot po iu shpaguhen duke pranuar titullin e oficerëve të Republikës dhe FSK-së, që u ndërtua mbi themelet e UÇK-së, të kësaj Force që në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e NATO-s, aleancës që mbështeti politikisht e ushtarakisht çlirimin dhe lirinë e vendit tonë”, tha ai.
Tutje, ai tha se Kosova nuk e forcon ushtrinë për ta sulmuar dikë, por për ta ruajtur veten e saj.
“Ne nuk e forcojmë ushtrinë për të sulmuar të tjerët por për të qenë mjaftueshëm të fortë për mbrojtur veten. Për një Kosovë më të siguritë, më të drejtë e më të barabartë për të gjithë”, tha Kurti./klankosova