Kurti: Normalizimi, pas arrestimeve të grupeve kriminale në veri

“Të zbatohet marrëveshja e 27 Shkurtit dhe ajo e Ohrit”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk tërhiqet nga qëndrimet e tij për situatën në veri. Duke folur nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ai tha se tërheqja e trupave të Kosovës do të vijë vetëm atëherë kur grupet kriminale të vihen para drejtësisë.

“Rruga përpara për qetësim dhe për normalizim nënkupton ndalimin e menjëhershëm të dhunës nga bandat kriminale para objekteve të komunës ndaj zyrtarëve të Policisë, ndaj ushtarëve të NATO-s, ndaj gazetarëve dhe ndaj kryetarëve të komunave.”

Kurti i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të punojë në drejtim të intensifikimit të dialogut për zbatimin e marrëveshjeve së 27 Shkurtit, që u arrit në Bruksel dhe asaj të 18 Marsit, e dakorduar në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Kemi nevojë për sekuencim të balancuar dhe fer të zbatimit të marrëveshjes bazike. Marrëveshjen jo vetëm që e kemi pranuar të dyja vendet, Kosova dhe Serbia por ajo është edhe pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian të datës 9 Shkurt 2023.”

Duke iu referuar tensioneve në veri, Kurti, kërkoi nga kryetarët aktualë të komunave në veri të Kosovës që të vijojnë me ushtrimin e detyrës, ndërsa ftoi serbët që të marrin pjesë në zgjedhje.

Sipas kreut të qeverisë kosovare, objektet komunale janë në pronësi të Kosovës dhe se nuk do të lejohet që ato të kalojnë në pronësi të një etnie të caktuar.

Sa i takon dhunës së shkaktuar nga protestuesit në javët e fundit në veri, Kurti tha se ajo buron dhe urdhërohet nga Beogradi.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share