Kurti në Shkodër, viziton kompozitorin e “Xhamadani vija vija”

Kryeministri Albin Kurti, ka shkuar në Shkodër, ku me ç’rast kompozitori i këngës “Xhamadani vija vija” Zef Çoba, e ka pritur në shtëpinë e tij.

Shefi i qeverisë kosovare, artistin e vlerësoi si “mjeshtër të madh”, për të cilin tha se ka kontribuar në mozaikun e këngëve të dashura shkodrane, por edhe ka kompozuar simfoni e himne bashkëkohore kombëtare.

“Mjeshtri i madh Zef Çoba, jo vetëm që ka kontribuar në mozaikun e këngëve aq të dashura shkodrane, por edhe ka kompozuar simfoni e himne bashkëkohore kombëtare. Të tilla janë ‘Xhamadani Vija-Vija’ si dhe kënga ‘Atdheut’, e cila vjen si një urim vëllazëror i Shkodrës për Kosovën në vitin 2009, me rastin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e që reciton edhe vargje të Gjergj Fishtës: ‘Zoti n’qiell e na mbi tokë, me gjithken’ vllazën e shokë’”, shkroi Kurti.

Ai përmes një postimi në Facebook, tha se në shtëpinë-studion e Çobës është kënaqësi të dëgjosh edhe për ndërthurjen e këngëve mes Kosovës e Shqipërisë.

“Në shtëpinë-studio të tij, mes udhëtimeve në kujtesën e historive, të përvojave e përjetimeve, kënaqësi të dëgjosh edhe për ndërthurjen e këngëve mes Kosovës e Shqipërisë, si në rastin mes Gjakovës e Shkodrës, të cilat jo pak herë miqësisht kanë mospajtime mbi autorësinë se ku përkasin disa këngë të caktuara”, shkroi shefi i qeverisë.

“E ky ishte çasti i duhur që të flasim për hekurudhën Prishtinë-Durrës në zemër të së cilës do të ishte segmenti Gjakovë-Shkodër. T’i bashkojë këto dy qytete emblematike të kombit tonë edhe më shumë sesa këngët, e t’i shijojnë më shpejt e më afër njëra-tjetrës pasuritë e mëdha kulturore-artistike si dhe vlerat kombëtare e historike që të dyja i bartin”, shtoi 49-vjeçari në Facebook.

Njeriu i cili mbi supe e ka udhëheqjen e qeverisë, tha se Shkodra është një qytet që e inkurajon dhe inspiron artistin, raporton Klankosova.tv.

“Gjuha e kultura, traditat e moçme dhe pasuritë natyrore, janë përbërës që formësojnë veprat artistike e që frymojnë edhe përmes muzikës”, shtoi Kurti.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share