Kryeministri Albin Kurti në panelin e organizuar në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog, sqaroi se sipas informacioneve të fundit, prokuroria serbe ka tërhequr akuzat për terrorizëm ndaj tre policëve të Kosovës. Ai tha se policët mbahen në Kralevë, ndërsa u shpreh i habitur se si mund të akuzohet për armëmbajtje pa leje një polic në detyrë, informon KlanM.
“Akuza për terrorizëm duket se është hequr, por akuza për armëmbajtje pa leje mbetet ende. Po ata janë policë! Ata u kapën 300 metra brenda territorit të Kosovës. Ky rrëmbim na kujton rrëmbimin në Kumanovë më 31 mars 1999, gjatë intervenimit të NATO-s, kur ushtria serbe rrëmbeu tre marinsa amerikanë. Mbaj mend që aktivisti civil i atëhershëm Jesse Jackson po bënte përpjekje, duke biseduar me Sllobodan Millosheviçin për t’i liruar ata. Serbia ka traditë që të rrëmbejë të tjerët përgjatë kufijve të saj sepse nuk i ka rregulluar kurrë siç duhet, tha Kurti në Forumin e Dialogut të Prespës në Strugë. /KlanMacedonia/