RRËMBIMI I POLICËVE TË KOSOVËS, SI RRËMBIMI I MARINSAVE AMERIKAN NË 1999
Duke u prononcuar në Forumin e Prespës për Dialog që po mbahet në Strugë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm për të shkuar në zgjedhje të parakohshme lokale në veri të Kosovës, por që kjo të ndodh, duhet të plotësohen disa kushte, njofton KlanM.
“Nuk do t`ua dorëzoj republikën milicive fashiste, nacionalistëve të dhunshëm, bandave kriminale. Ata duhet të përballen me drejtësinë. Dua që serbët t`i kenë të gjitha të drejtat, do t`i dëgjojë kërkesat e tyre, por nuk do ta kompensoj Beogradin zyrtar për humbjet që ia ka shkaktuar regjimi gjenocidal i Milosheviqit” – tha Albin Kurti.
Prokuroria serbe ka tërhequr akuzat për terrorizëm ndaj tre policëve të Kosovës – tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ai, sic njofton KlanM, njoftoi se policët mbahen në Kralevë, ndërsa u shpreh i habitur se si mund të akuzohet për armëmbajtje pa leje një polic në detyrë.
“Akuza për terrorizëm duket se është hequr, por akuza për armëmbajtje pa leje mbetet ende. Po ata janë policë! Ata u kapën 300 metra brenda territorit të Kosovës. Ky rrëmbim na kujton rrëmbimin në Kumanovë më 31 mars 1999, gjatë intervenimit të NATO-s, kur ushtria serbe rrëmbeu tre marinsa amerikanë. Mbaj mend që aktivisti civil i atëhershëm Jesse Jackson po bënte përpjekje, duke biseduar me Sllobodan Millosheviçin për t’i liruar ata. Serbia ka traditë që të rrëmbejë të tjerët përgjatë kufijve të saj sepse nuk i ka rregulluar kurrë siç duhet” – tha Albin Kurti.
Edhe pse Uashingtoni dhe Brukseli vendimet e tij I kanë vlerësuar si të shpejtuara dhe si hapa që nuk I kontribuojnë paqës, Kryeministri Kurti, sic njofton KlanM, ka siguruar se është bashkëpunues në këto zhvillime, duke hedhur fajin drejt Beogradit, sic tha, edhe për incidentin e fundit të arrestimit të tre policëve të Kosovës. /KlanMacedonia/