Kurti në FB: Serbisë nuk i leverdis normaliteti i krijuar tek Liqeni i Ujmanit!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë”.

“Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhura me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës”, ka thënë Kurti, duke u zotuar për sundim dhe rend publik në gjithë Kosovën.

“Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë mes tjerash Kurti, përmes një postimi në Facebook.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar të dielën shpërthimin me granatë dore në pjesën veriore të vendit, në afërsi të Liqenit të Ujmanit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale në dy vetura, njëra me targa vendore, ndërsa tjera amerikane.

Sipas informatave të autoriteteve të sigurisë, granata është hedhur në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale afër Ujmanit, nga një apo më shumë persona të panjohur.

Elshani ka thënë se policia është duke u marrë me rastin.

Qytetarë të zonës janë parë në javët e fundit duke u freskuar afër liqenit, pas temperaturave të larta, gati 40 gradë Celsius./REL/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share