Kurti në dyvjetorin e zgjedhjes kryeministër: Gjetëm gabime të qeverive të kaluara – ia dolëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për të arriturat që i ka bërë për dy vjet sa është në pushtet.

Ai, me anë të një cicërime në Twitter, ka theksuar se janë përballur më një mori problemesh, duke thënë se një pjesë kishin mbetur nga qeveritë e kaluara.

“Dy vjet më parë nga sot qeveria jonë e mori detyrën në kohën kur kishte një shpërthim të shfrenuar të pandemisë COVID-19. Më vonë u përballëm me një rritje të çmimeve të energjisë dhe inflacionit për shkak të pushtimit rus në Ukrainë”.

“Ne duhej t’i largonim gabimet e shumta të qeverive të kaluara, të luftonim ngjarje që ishin të paprecedenta dhe të krijonim shtigje të reja. Ne ia dolëm”, ka thënë Kurti.

Më tutje, ai ka përmendur disa prej arritjeve që thotë se i kanë realizuar brenda dy vjetëve.

“Ne e kishim zero vaksina kur morëm detyrën. Në më pak se një vit i siguruam dhe vaksinuam 60% të popullsisë. Ekonomia jonë kaloi nga tkurrja me 5.3% në vitin 2020, në rritje me 10.7% brenda një viti”.

“Në dy vjet, buxheti ynë vjetor u rrit me 760 milionë.  Vitin e kaluar, të ardhurat nga taksat u rritën me 20% pa rritje të normave. Gjithashtu vitin e kaluar, investimet e huaja arritën në 772 milionë euro që është shifër rekorde”.

“E kemi  rritur asistencën sociale për familjet në nevojë me 30 përqind. Kemi dhënë ndihmë financiare ndaj 66 mijë studentëve, dhe kemi pasur rritje për 216% të ndihmës për fermerët”, ka thënë Kurti.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share