Kurti ndau çmimin “Best Play” për shfaqjen “Muhammad Ali, the one and only” në PITF

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në Ceremoninë e Ndarjes së Çmimeve të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë “Burbuqe Berisha”.

Kurti ndau çmimin kryesor të PITF 2024, çmimin “Best Play” (Shfaqja më e mirë) të cilin e fitoi shfaqja “Muhammad Ali, the one and only” nga Bosnja dhe Hercegovina.

“Vende si ky e festivale si ky, ngjarje të këtilla e bëjnë artin kulturë, andaj i falënderoj përzemërsisht e shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kanë punuar dhe kontribuar”, u shpreh Kurti.

Garuesit e këtij edicioni vinin nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjermania, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, derisa festivali kushtuar vlerësimit të figurës së rëndësishme të artit skenik, Burbuqe Berishës, shërben edhe si platformë për të njohur më mirë trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

Në natën finale të PITF, përveç Kurtit të pranishëm ishin edhe Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Paraprakisht, në natën e fundit të Festivalit, kryeministri Kurti ndoqi shfaqjen “Bloody Moon”, nën regjinë e Ana Dordervic nga Teatri Kombëtar i Malit të Zi.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share