PRESIDENTJA VJOSA OSMANI TAKON PRESIDENTIN BULLGAR RADEV
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i është kundërpërgjigjur emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, i cili ka thënë se draftstatuti për Asociacionin nuk ka nevojë për nënshkrim pasi është cështje e brendshme e Kosovës.
Kurti ka ofruar mundësinë që vitin e ardhshëm ai të shkruajë një draft modern evropian të statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe ndërsa ka renditur 7 pika për normalizimin e marrëdhënieve.
“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)” – tha Albin Kurti.
E presidentja Vjosa Osmani pas takimit që zhvilloi me presidentin e Bullgarisë tha se ka tendeca që BE mund të shfrytëzoj masat e vendosura ndaj Kosovës për të bërë presion për zbatimin e Asociacionit.
Presidenti bullgar i pyetur për situatën me Serbinë, ka theksuar se Serbia nuk duhet të harrojë që është në proces integrues në BE dhe kjo mund të ndikojë varësisht nga sjellja e saj me Kosovën.
“Mos të harrojmë që Serbia është në proces bisedimi me BE për anëtarësim dhe ky është instrument i fuqishëm për rregullimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Serbisë. Ne këmbëngulim për dialog si mënyrë e vetme për zgjidhjen e problemeve dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, kjo është e vetmja rrugë. Përjashtojmë provokimet e armatosura dhe dhunën. Shprehim shqetësim për situatën në veri të Kosovës” – tha Rumen Radev – President i Bullgarisë.
Osmani tha se cdo hezitim për pranimin e Kosovës në BE e NATO jep mundësi destabilizimi jo vetëm në Kosovë. /KlanMacedonia/