Kurti: Mosnënshkrimi i marrëveshjes – të dënohet Serbia

“TË FILLOJË MENJËHERË ZBATIMI I MARRËVESHJES”

Kryeministri Albin Kurti, pret nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë dhe dënojnë sjelljen e Serbisë për moszbatim të marrëveshjes Ohrit.

Ai para gazetarëve ka thënë se zbatimi i marrëveshjes duhet të fillojë menjëherë.

“Pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë e ta dënojë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë se nuk nënshkruaj e ndërmjet takimeve thotë nuk zbatoj gjë” – tha Kurti.

Sipas tij, Serbia s’mund të flasë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare e në mes të takimeve të thotë se nuk do të zbatojë asgjë.

”Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, nuk mund të flasë sikur kurrë s’do ta njohë Kosovën meqenëse marrëveshja bazë është njohje de facto. Kjo është thelbësore për procesin dhe është e rëndësishme që të gjithë aleatët, miqtë tanë, të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ne jemi konstruktivë e të përkushtuar e kreativë si asnjëherë” – tha Albin Kurti.

Thotë se është i vetmi që në takimet e Brukselit bën propozime dhe oferta.

“Unë bëj propozime dhe oferta që refuzohen dhe në fund merremi vesh ama ata nuk nënshkruajnë. Për të tjerat me ndërmjetësit evropianë do të jemi në kontakt të vazhdueshëm, me partnerët tanë amerikanë gjithashtu jemi në komunikim të vazhdueshëm, dhe do të duhej që atë formulimin për vetëmanaxhimin e komunitetit serb të adresojmë çështjet që na paskan ngelur pa u mbushur dhe për ne bëhet fjalë për një formulim i cili i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës” – tha Albin Kurti.

Kosova dhe Serbia më 18 Mars në Ohër u pajtuan  për marrëveshjen për planin e BE-së si dhe udhërrëfyesin për zbatimin e planit për normalizimin e marrëdhënieve por nuk nënshkruan asgjë.

Përgatiti: Blerta Dalloshi Berisha

Lexo gjithashtu
Total
0
Share