Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në Prishtinë përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilët sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, kanë vendosur të mblidhen rreth një liste të përbashkët për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi.
Bëhet e ditur se në këtë takim u tha se diskriminimi në përfaqësim, pasivizimi i adresave, padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve, sipas njoftimit, janë çështje e brenga për të cilat ka nevojë që të flitet me zë të bashkuar e të koordinuar.
“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, ka grumbulluar rreth vetes Partinë për Veprim Demokratik të udhëhequr nga Shaip Kamberi, Partinë Demokratike Shqiptare të Ragmi Mustafës, Lëvizjen e Progresit Demokratik të Shqipërim Musliut, Unionin Demokratik Shqiptar me Naser Azirin dhe Aleancën për Luginën, të përfaqësuar nga Armend Aliu”.
“Kryeministri Kurti u uroi përfaqësuesve të këtyre pesë partive politike për dakordimin e arritur dhe u dëshiroi përgatitje e fushatë të suksesshme për zgjedhjet e 17 dhjetorit, e të cilat kanë rëndësi të veçantë për të siguruar përfaqësimin e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë si dhe për synimet e përbashkëta për drejtësi dhe barazi për shqiptarët si pakicë kombëtare atje”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.