Kurti me fotografi tregon ngjarjen e rrëmbimit të tre policëve nga Serbia

Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka mbajtur një konferencë për media, ku ka dhënë detaje në lidhje me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat speciale të Serbisë.

Ndërkaq, pak minuta më parë, ai publikoi edhe fotografi nga vendi i ngjarjes, duke e shpjeguar rastin në detaje, raporton Klankosova.tv.

Ai ripotencoi se në momentin e rrëmbimit, tre policët e Kosovës kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, duke drekuar së bashku.

Ata, sipas kryeministrit, janë rrethuar nga 15 persona që i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer.

“Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës”, tha Kurti në një postim në Facebook.

Ai tha se Kosova është në të drejtën e saj, “në të drejtën e Republikës dhe këtë e dokumentojnë qartë dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, si dhe dëshmia e tre policëve tanë”.

Kreu i ekzekutivit kërkoi lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë pa kushte dhe të pacenuar.

Njëkohësisht, ai kërkoi nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin e Serbisë që paraqet edhe shkelje të pikës 4 të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga 9 qershori të vitit 1999.

“Në mesditën e 14 qershorit, u ushtrua agresion i Serbisë ndaj shtetit demokratik të Kosovës, me rrëmbimin e tre zyrtarëve të Policisë sonë, thellë në brendi të territorit të Republikës”, potencoi kryeministri Albin Kurti. /Klankosova.tv

Lexo gjithashtu
Total
0
Share