Kurti kujton të rënët në Betejën e Koshares: Ishte beteja më e rëndësishme për lirinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 24-vjetorin e Betejës së Koshares, duke thënë se për dy muaj, nga 9 prilli deri më 10 qershor 1999, mijëra ushtarë të UÇK-së do të përballeshin në luftime të ashpra me trupat serbe, çka do të rezultonte me shumë të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur nga të dyja palët.

“Më shumë se 100 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të binin dëshmorë gjatë luftimeve të atyre ditëve, kurse edhe më shumë se kaq do të plagoseshin. Në anën tjetër, mbi 100 pjesëtarë nga forcat serbe u vranë dhe trefishi i këtij numri prej tyre u plagosën”, shkroi ai ndër të tjera.

Kurti përmendi faktin se përveç ushtarëve të UÇK-së në këtë betejë humbën jetën edhe shumë vullnetarë të huaj që u ishin bashkuar luftës për lirinë e Kosovës.

“Mes nderimeve për dëshmorët e lirisë, sot themi lavdi për dëshmorët e rënë në luftimet e Betejës së Koshares si dhe nderime atyre të plagosurve që nga atëherë e deri sot kanë bartur plagët e luftës për lirinë e Kosovës. Kujtime e histori, nderime dhe krenari!”, shkroi ai në Facebook.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share