Kurti: Kosova te Turqia shikon një shtet aleat dhe një popull mik

Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova te Turqia shikon një shtet aleat dhe një popull mik.

“Kosova te Turqia shikon një shtet aleat dhe një popull mik, me të cilin kemi lidhje të ngushta historike, marrëdhënie të sinqerta dhe të dobishme në shumë plane në të tashmen. Edhe për të ardhmen, populli i Kosovës dhe ai i Turqisë ndajnë perspektivën e paqes së qëndrueshme në rajonin e Ballkanit, të integrimeve në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si edhe të zhvillimit ekonomik e social”, tha ai në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Turqisë në Kosovë në shënim të Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Turqisë.

Ai shprehu mirënjohjen ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan për mbështetjen që i ka dhënë anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në NATO, njofton Klankosova.tv.

“Turqia dhe Kosova kanë mbajtur qëndrime të njëjta për sa i përket mbrojtjes së lirisë dhe sovranitetit të Ukrainës, e kanë dënuar agresionin ndaj këtij shteti dhe kanë marrë masa për t’i ardhur në ndihmë popullit të Ukrainës. Në këtë kuadër, ne i jemi mirënjohës presidentit Erdoğan për mbështetjen që i ka dhënë anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në NATO, si një veprim i denjë që do t’i shërbente sigurisë dhe paqes në Ballkan dhe në botë. Turqia i vlerëson siç duhet kërcënimet ndaj sigurisë në rajonit tonë dhe është mbështetëse e zgjerimit të NATO-s dhe të ndikimit të aleancës veriatlantike në Ballkanin Perëndimor”.

Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Turqisë shënohet për të përkujtuar ata që vdiqn në natën mes 15 dhe 16 korrikut gjatë përpjekjes ushtarake për grushtshtet në Turqi.

E duke folur për këtë ditë, kryeministri kosovar tha se ishte “një ngjarje e rëndë për Turqinë, por edhe një natë e ankthshme për demokracitë kudo në botë”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share