Kurti: Kosova dhe Serbia kanë një Marrëveshje Bazike që duhet të mos shkelet dhe të zbatohet pa vonesa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se dialogu me Serbinë ka hyrë në një fazë të avancuar, duke theksuar rëndësinë e respektimit dhe zbatimit pa vonesa të marrëveshjeve ekzistuese mes dy vendeve.

Në një konferencë për media të mbajtur në Bruksel pas një takimi me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kurti theksoi kërkesat e Kosovës për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

Ai njoftoi se ka përsëritur kërkesën për dërgimin sa më të shpejtë të pyetësorit nga Komisioni Evropian, duke premtuar se Kosova do t’i përgjigjet me përkushtim të plotë.

“Edhe pse pyetësori përmban mijëra pyetje, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi me durim dhe përkushtim. Dialogu me Serbinë ka arritur në një fazë të rëndësishme, ku duhet të respektojmë marrëveshjet e arritura. Marrëveshja Bazike, e arritur në shkurt të vitit të kaluar, dhe aneksi i zbatimit nga takimi i Ohrit, duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesa,” tha Kurti.

Ai shtoi se njohja reciproke de-facto mbetet në thelb të marrëveshjes, duke theksuar se kjo do të ndihmojë në integrimin e të dyja vendeve në strukturat evropiane.

Lidhur me fondet e BE-së të dedikuara për Ballkanin Perëndimor, kryeministri Kurti shprehu pritshmërinë që Kosova të marrë pjesën e saj të drejtë nga fondi prej 6 miliardë eurosh.

Ai theksoi se këto fonde pritet të jenë në formën e granteve dhe kredive, me përfitime që mund të ndodhin brenda këtij viti.

“Jemi të kënaqur që BE-ja e ka rikthyer temën e zgjerimit në tryezë, duke dërguar një mesazh të qartë për ata që kërcënojnë paqen dhe sigurinë në Evropë, përfshirë Federatën Ruse,” përfundoi Kurti./Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share