Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se takimi i radhës në nivelin e dialogut Kosovë – Serbi do të zhvillohet më 4 prill në Bruksel, por jo mes tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se ky takim do të jetë i nivelit të kryenegociatorëve, ndërmjet Bislimit e Petkoviqit.
“Më 4 prill në Bruksel do të diskutohen çështjet e zbatimit të marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Ka marrëveshje, ekziston marrëveshja dhe është shumë e qartë e publike për të gjithë. Kemi nevojë për zbatim të saktë e të shpejtë të saj. Prandaj do të organizohet një takim në nivel të kryenegociatorëve”, ka thënë Kurti për gazetarë pasi mori pjesë në lansimin e projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konvetën e Stambollit”, ka deklaruar Kurti.
I pyetur në lidhje me deklaratat, përfshirë ato të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, se themelimi i Asociacionit është urgjencë, Kurti ka thënë të mos merren për bazë deklaratat politike, pasi marrëveshja është e qartë dhe duhet zbatuar e tëra.
“Marrëveshja duhet zbatuar e tërë. Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka jo. Siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes e aneksit, ashtu s’mund të ketë as zbatim të njëanshëm të tyre. Marrëveshjen nuk duhet copëtuar me marrë pjesët e preferuara. Te fjala që thatë ju ‘urgjencë’, ajo është pikërisht te fjalia që ka të bëjë me të pagjeturit, të zhdukurit me dhunë”, tha Kurti.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se dhuna ndaj grave është një fenomen i rëndë, që i paraprin trajtimi i pabarabartë që nga fëmijëria.
Ministrja Haxhiu pati kritika edhe për dënimet minimale që marrin dhunuesit.
“Format të tjera të dhunës në shoqërinë tonë janë edhe ato që janë në Konventën e Stambollit si martesa me dhunë, ngacmimet seksuale…, të gjitha këto forma të dhunës duhet të kriminalizohen. Është qenësorë që ofrimi i shërbimeve të bëhet nga profesionistët. Ne jemi dëshmitar që viteve të fundit është rritur raportimi i dhunës, me këtë mund të themi që dhuna po raportohet por jo sa duhet. Nuk mund të durojmë raste kur dhunuesit dënohen me dënime më pak, andaj sot ju bëjë thirrje institucioneve qe të hetojnë dhe gjykojnë dhunuesit sepse në këtë rast vetë shteti dhunuesin e shndërron në vrasës, andaj kërkoj përqendrim. Raporti i KE mbi përafrimin e ligjeve të Kosovë më Konventën e Stambollit, nenet e kësaj Konvente janë një udhërrëfyes se ka do të shkojmë dhe do të jenë pikë referuese me hapa që do t’i marrim”, tha Haxhiu.
Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power tha se janë duke punuar nga viti 2016 në fushën e luftimit të dhunës ndaj grave.
“Në Këshillin e Evropës, jemi të gatshëm që ta përkrahim këtë. Ka shumë prani të ndërkombëtarëve në Kosovë që janë duke punuar në këtë. Kjo paraqet pikat kryesore që shoqëria civile luan ndaj luftimit të dhunës ndaj grave. Shoqëria civile besoj që do të vazhdojë të bëjë presion ndaj qeverisë dhe komunitetit ndërkombëtar. Ky raport do të botohet në raportin Grevio”, u shpreh ai.
“Siç e dini Këshilli i Evropës është duku punuar në Kosovë kundër dhunës ndaj femrave. Konventa e Stambollit ka qenë e sulmuar nga vendet e ndryshme, gjatë viteve të fundit ka pasur një punë të mirë. Fazat fillestare në Kosovë janë kryer. Ky raport është bërë gjatë vitit të kaluar ne bashkëpunim më Ministrinë e Drejtësisë. Duke pasur parasysh që Konventa është një dokument shumë i mirë për t’u lexuar, gjithashtu është një dokument shumë i balancuar, identifikon fushat ku duhet të merret më shumë. Ky raport do të vazhdoj më punën dhe projekti që jemi duke lansuar sot shpresoj që do të jetë udhëzues edhe për Qeverinë dhe akterët tjerë”.