Kurti: Jam i gatshëm dhe i interesuar të intervistohem nga prokuroria si dëshmitar në kryeministri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për ftesën e tij nga Prokuroria Speciale, duke thënë se ka pasur edhe më herët raste ku ky institucion ka intervistuar kryeministra të vendit në objektin e Qeverisë, raporton Ekonomia Online.

Ai ka shtuar se ka propozuar disa data dhe orare kur mund të intervistohet, madje theksoi se ka një komunikim të rregullt mes Kryeministrisë dhe Prokurorisë dhe se është i gatshëm dhe i hapur për të bashkëpunuar.

“Ekziston komunikimi mes kryeministrisë dhe prokurorisë edhe t’u them të drejtën nuk mund të merrem paradite dhe pasdite, pra për ditë me këtë çështje. Unë do të merrem kur të vijnë të më intervistojnë në kryeministri si dëshmitar, jam i hapur, jam i gatshëm, i vullnetshëm dhe i interesuar që në kryeministri ta jap deklaratën siç kanë kërkuar. Meqenëse kjo gjë është bërë edhe në të kaluarën, e ekzistojnë konfirmimet për këtë edhe në kryeministri i di edhe vet prokuroria, atëherë kam ofruar disa orare kur kjo do të mund të bëhej”.

“Po pres që me këtë çështje të merrem pikërisht duke dëshmuar, e jo duke deklaruar mbi dëshminë e cila nuk po ndodhë. Prokuroria e di shumë mirë se për çfarë raste bëhet fjalë, t’u them të drejtën datat dhe rastet nuk i kam shumë të qarta, por këshilltarët e mi ligjor dhe Ministria e Drejtësisë i dinë të gjitha më mirë. Edhe prokuroria e di më mirë se të gjithë ne së bashku se ka pasë raste në të kaluarën, kur nga prokuroria e shtetit kanë ardhur për të intervistuar kryeministra në Qeverinë e Kosovës. Unë besoj se prej kësaj praktike nuk do të duhet të ndalemi”, ka thënë Kurti.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share